
Të paktën 100 gra të dënuara me heqje lirie kanë paralajmëruar se do të futen në grevë urie, pasi Presidenti maqedonas George Ivanov refuzoi kërkesën e tyre për amnisti. Në grevë pritet të futen edhe të paktën 2.000 burra të dënuar, nga të gjitha burgjet e vendit.
Ditë më parë, ata firmosën një peticion, përmes të cilit kërkonin nga presidenti të sillte një vendim, me të cilin do të përgjysmoheshin dënimet e tyre. Por, megjithëse Ivanov nuk i është përgjigjur ende këtij peticioni, 2.000 të burgosurit presin që kërkesa e tyre të refuzohet, siç ndodhi edhe me gratë e dënuara.
“Këta persona nuk kërkojnë t’u falet i gjithë dënimi. Ata janë të vetëdijshëm për veprat që kanë kryer, por luten që dënimet të ulen. Nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, ata do të hyjnë në grevë dhe do të refuzojnë që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Zvonko Davidoviç, avokat.
Kërkesa e të burgosurve për uljen e dënimeve u nxit nga vendimi i Presidentit maqedonas, George Ivanov, i cili vendosi të falë 56 politikanë, që po hetohen kryesisht nga Prokuroria Speciale për vepra të ndryshme penale.
Top Channel