Ardita Sinani ështe e vetmja grua bartëse e listës në Serbi. Në zgjedhjet parlamentare dhe lokale janë 21 subjekte politike, por shumica e udhëheqësve janë meshkuj.
Ajo thotë se femra në Luginën e Preshevës është e përfaqësuar mirë në institucione dhe politikë. Por, do të luftojë për më shumë të drejta.
Ardita është mësimëdhënëse dhe beson se është koha që shqiptarët të luftojnë për të drejtat e tyre me çdo mjet demokratik. Femra në politikë, sipas saj, krijon atmosferë më të qetë.
“Nëse femra është aktive dhe në pozicione vendimarrëse, atëherë besoj se nuk do të ketë korrupsion, ligji do të zbatohej, do të kishte drejtësi dhe punët do të ecnin në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik.
Sinani thotë se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike për të ngritur zërin në një zonë që ka pasur mjaft konflikte.
“Për shqiptarët e Luginës së Preshevës më e rëndësishme është të ulet numri i të papunëve, te ketë një zhvillim ekonomik sepse jemi zona më e pa zhvillaur në të gjithë territorin e Serbisë”, vijon ajo.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës garojnë kryesisht në zgjedhjet lokale për shkak të bojkotit, por pjesëmarrja e tyre do të jetë edhe për ato parlamentare.
Top Channel