
Eden Hazard ka shënuar golin e parë në kampionat këtë sezon. Numri 10 i Chelseat udhëhoqi të tijtë drejt fitores 4-1 në tranfsertën ndaj Bournemouth duke realizuar dopietë.
Londinezët kaluan në epërsi që në minutën e 5 me Pedron, ndërsa gjysmë ore më vonë, Hazard, që nuk kishte luajtur që prej një muaji, realizon golin e parë sezonal për 2-0.
Vendasit barazojnë në të 36-n, por Willian rikthen qetësinë në kampin “blu” në të 71-n, ndërsa në fund të ndeshjes, belgu realizon edhe golin e dytë e të katërtin për Chelsean.
Ndërkohë, Rafa Benitez merr një pikë ndaj ish-skuadrës së tij, Liverpool, në “Anfield”. Formacioni i Klopp bëri gjithçka mirë në pjesën e parë duke krijuar një epërsi prej 2 golash me Sturridge e Lallana.
Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, kur fillimisht Cisse e më pas Colback shënojnë për të marrë një pikë që i bën tifozët e Newcastle të shpresojnë të shohin edhe sezonin e ardhshëm skuadrën e tyre të luajë në Premier League.
Manchester City fitoi 4-0 përballë Stoke duke konsoliduar vendin e tretë.
Dopieta e Iheanachos dhe nga një gol i Agueros e Fernandos i bëri më të lehta punët për Pellegrinin që tashmë fokusohet në gjysmëfinalen e Champions League.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Southampton fitoi pa shumë vështirësi në transfertën ndaj Aston Villas. Kjo ndeshje u mbyll në shifrat 4-2 për ekipin e Ronald Koeman.
Top Channel