Hoti në Tiranë, takimi me Ahmetaj i paraprin mbledhjes dypalëshe

22/04/2016 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj priti sot në një takim homologun e tij kosovar Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, e cila i paraprin mbledhjes që dy qeveritë planifikojnë të zhvillojnë në fund të muajit maj.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtorët respektivë të Tatimeve dhe Doganave të dy vendeve. Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi realizimin e çështjeve të dakordësuara në mbledhjen e fundit mes dy qeverive, atyre që janë ende në proces dhe të atyre të reja që do të duhet të trajtohen në mbledhjen e radhës.

Në një prononcim për mediat pas takimit, ministri Ahmetaj tha: “Me ministrin e Financave të Kosovës bëmë këtë takim sot për të mbyllur pjesën tonë të përbashkët, çështjet pra të lidhura me financat, në kuadër të përgatitjes së mbledhjes së dy qeverive që do të mbahet në fund të muajit maj”.

“Diskutuam edhe për një sërë elementësh praktikë, operacionalë dhe ligjorë dhe kemi rënë dakord për një axhendë shumë intensive deri para mbledhjes së qeverisë, për të parë se çfarë kemi bërë, çfarë janë në proces dhe çfarë duhet të bëhet, kryesisht për thjeshtimin e procedurave doganore, për shkëmbimin e informacionit apo edhe të grupeve operacionale të përbashkëta të punës”, deklaroi Ahmetaj.

Ndërsa ministri i Financave të Kosovës, Hoti u shpreh: “Ne tani kemi krijuar një marrëdhënie bashkëpunimi jo protokollar, por plotësisht miqësor dhe teknik mes dy ministrive dhe mes administratave tatimore e doganore”.

“Ne bëmë edhe një rishikim të progresit që kemi arritur deri më tani nga mbledhja e fundit e dy qeverive. Pamë që shumica e çështjeve që rakorduam vitin e kaluar në mbledhjen e përbashkët është bërë progres dhe identifikuam disa çështje të cilat do t’i adresojmë në dy-tre javët e mbetura deri në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive”, tha Hoti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA