“Ti Shqipëri më jep nder”, mbi autobusin kuqezi. Rilindja fiton kombëtaren

21/04/2016 10:30

“Ti Shqipëri më jep nder!” është mbishkrimi, me të cilin do të qarkullojë, duke nisur nga 10 qershori, autobusi kuqezi i kombëtares shqiptare në “Francë 2016”.

Sondazhi, prej disa javësh ndodhet në faqen zyrtare të UEFA-s dhe mbetet ende i hapur për 3 alternativa: “Ti Shqipëri më jep nder!”, “O sa mirë me qenë shqiptar!” dhe “Fluturo shqipe!”, por ka qenë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili në prani të shefit politik të një tjetër rilindjeje, gjatë prezantimit të projektit të stadiumit të ri “Arena kombëtare”, ka pohuar se slogani i kuqezinjve në Europianin e kësaj vere do të jetë slogani i marrë nga vargjet e rilindasit të vërtetë, atij të Letërsisë, Naim Frashëri.

Vargu përfaqësues është gjithashtu i stampuar edhe në fanelat e reja të kombëtares sonë, që janë të personalizuara vetëm për Europianin, maja historike e deritanishme e futbollit shqiptar.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të UEFA-s mund të votohet ende për të treja alternativat dhe rezultati zyrtar do të publikohet më 2 maj, pavarësisht se vendimi është marrë, së paku për autobusin e kombëtares.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA