Përpjekjet e Athinës zyrtare për një qasje me fqinjët e saj: Shqipërinë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Bullgarinë në çështjen e madhe të përballimit të krizës së refugjatëve, konsolidohen me samitin e ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të 4 vendeve që për dy ditë rresht takohen dhe diskutojnë në qytetin e Selanikut.

Në këtë takim, ku marrin pjesë edhe zyrtarë të Komisionit Europian dhe të Ministrisë së Jashtme të Holandës, si vendi që mban presidencën e Këshillit të BE-së, diskutohen në fazën e parë në mbrëmjen e së enjtes sfidat e shkaktuara nga kriza e refugjatëve dhe bashkëpunimi rajonal.
 
Ndërsa të premten në mëngjes, axhenda përfshin bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të kufijve dhe luftën ndaj trafikimit të emigrantëve ilegalë dhe ndaj rrjeteve terroriste.
 
Gjithashtu, bisedimet do të përqendrohen në dimensionin humanitar të emigrimit dhe do të eksplorohen fushat e bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për menaxhimin e krizës së refugjatëve dhe të emigrantëve.
 
Nga ana e qeverisë shqiptare, përfaqësimi bëhet nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe zyrtarë të tjerë, bashkë me specialistët përkatës.

Pas samitit, ditën e premte do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA