Ahmetaj: Kriza ka kaluar, hapëm 173 mijë vende pune

20/04/2016 00:00

Për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, ekonomia e ka kaluar krizën dhe qeveria është duke i realizuar plotësisht premtimet e saj elektorale.

“173 mijë vende të reja pune, disa të formalizuara, disa të reja gjatë periudhës 2-vjeçare në pushtet. Jemi shumë afër realizimit të premtimit prej 300 mijë vende pune dhe këto janë vende pune vetëm në sektorin jo bujqësor”, deklaroi Ahmetaj.

Kreu i Financave listoi një mori treguesish që sipas tij dëshmojnë se rritja ekonomike po forcohet. “900 milionë euro është fatura e investimeve të huaja në 2015. Rekord”, nënvizoi Ahmetaj.

Debati për investimet e huaja është ndezur ditët e fundit, pas deklarimeve të forta publike nga presidenti i Dhomës Amerikane për largim të investitorëve të huaj.

“Secili nga ne, që e quan ose jo veten aktor të rëndësishëm, ka nevojë për përgjegjshmëri kur thotë se po ikin investitorët. Cili investitor po ikën? “Bankers” akoma aty është, në kulmin e uljes së çmimit të naftës. Madje u shit. U shit një gjë që ka vlerë, një që s’ka vlerë nuk shitet”, tha Ahmetaj.

Në fund, kreu i Financave ka sulmuar edhe programin ekonomik të opozitës. “Me këtë paketë, në një vit borxhi shkon në 80 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Shkatërrim nga e para”, shtoi ministri.

Por opozita ka një tjetër këndvështrim për gjendjen ekonomike dhe këtë e bëri të qartë Lulzim Basha gjatë daljes për mediat në fund të mbledhjes së grupit parlamentar.

“Ahmetaj është Shullazi i financave. Denglat për rritje ekonomike as ai vetë nuk i beson, jo më qytetarët shqiptarë”, tha Basha. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA