Rinegociata me TAP në maj, Gjiknuri: Ja përfitimet

18/04/2016 00:00

Në ceremoninë e organizuar me rastin e mbërritjes së tubave të parë të TAP-it, Kryeministri Rama i njohu meritat paraardhësit të tij Berisha, por në një sens tjetër, atë kritik. Sipas tij, qeveria e mëparshme ka negociuar kushte diskriminuese për Shqipërinë për gazsjellësin TAP. Një gjë, që ai premtoi ta rregullojë.

“Vumë re me keqardhje që kontrata e nënshkruar nuk ka pasur asnjë lloj përfitimi simetrik, si me vendet e tjera ku kalon TAP-i, përfshi vendin fqinj jugor Greqinë”, tha kryeministri Edi Rama.

Shefi i qeverisë foli për rinegocim të marrëveshjes, bisedimet për të cilën nisin në muajin maj.

Kështu deklaroi nga studio e edicionit qendror informativ në Top Channel, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.

“Është një numër i madh përfitimesh financiare që Greqia i ka përfituar dhe Shqipëria jo. Shqipëria ka marrë më pak nga ç’kanë marrë partnerët e tjetër. Kemi marrë mirëkuptimin e TAP për disa çështje dhe diferencat do të adresohen dhe në muajin maj do të hapen bisedimet”, tha ai.

Në fjalën e tij, Gjiknuri tha se përfitimet e Shqipërisë nga ky projekt do të jenë të mëdha në fushën ekonomike, që nga punësimi, aktivizimi i kompanive shqiptare në gjithë procesin ndërtimor, gazifikimin e vendit, por edhe vënien në punë të TEC-it të Vlorës.

“Po punojmë për gazifikimin e vendit dhe po përgatitet masterplani. Pastaj do të kalojmë në një planifikim më të detajuar dhe patjetër që do të ketë përfitime, që nga energjia elektrike, që do t’i japë jetë edhe TEC-it të Vlorës për të cilin kemi marrë angazhimet financiare nga TAP për lidhjen dhe konvertimin e këtij TEC-i me gaz”, tha Gjiknuri.

I gjithë procesi i shtrimit të tubacionit në vendin tonë do të përfundojë më 2019 dhe do të shpenzohen 600 milionë dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA