San Antonio Spurs e nisi mjaft mirë serinë e ndeshjeve të “playoff”-it ndaj Memphis Grizzlies. Në “AT&T Center” skuadra teksane e fitoi këtë përballje 106-74.
Skuadra e drejtuar nga Greg Popovich që në fillim i bëri të qarta gjërat e kësaj sfide, duke e mbyllur pjesën e parë me një diferencë prej 11 pikësh, diferencë kjo që në pjesën e dytë u thellua akoma më shumë, duke arritur në 32 në fund të takimit. Leonard ishte shënuesi më i mirë për Spurs me 20 pikë, ndërkohë që spikatën edhe Aldridge e Parker, respektivisht me 17 dhe 15 pikë.
Fitore shënoi edhe Miami Heat që mundi Charlotte Hornetts 123-91. Një ndeshje kjo që nuk pati histori, pasi skuadra nga Florida e vendosi që në fillim diktatin e saj, duke e mbyllur periodën e parë 41-22 dhe duke e bërë shumë më të lehtë kontrollin e takimit në pjesën e mbetur të tij. Luol Deng shënoi 31 pikë në këtë ndeshje, por u dallua edhe Whiteside, i cili në debutimin e tij në ndeshjet e “playoff”-it të NBA shënoi 21 pikë dhe rrëmbeu 11 topa në tabelë.
Në ndeshjet e tjera të fazës së “playoff”-it në NBA, Cleveland Cavaliers fitoi me vështirësi ndaj Detroit Pistons 106-101, ndërsa Los Angeles Clippers mundi Portland Trail Blazers 115-95.
Top Channel