Përmirësimi i klimës së biznesit; Ahmetaj, letër sipërmarrësve: Na dërgoni sugjerimet

18/04/2016 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i ka nisur një letër grupimeve kryesore të biznesit në vend, ku pasi zotohet se nuk do të ketë më ndryshime taksash, fton sipërmarrësit të japin sugjerimet e tyre për të përmirësuar sistemin tatimor. Letra vjen menjëherë pasi qeveria ka prezantuar fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit.

“Me bindjen që informaliteti është një sfidë e përbashkët e qeverisë dhe sipërmarrjes, jeni të lutur të na ndihmoni me ide, sugjerime dhe rekomandime konkrete në kuadër të thjeshtimit të procedurave dhe lehtësimit të kushteve të të bërit biznes në vend”, shkruan në letrën e tij Ahmetaj.

Kreu financave informon sipërmarrjen se në ministrinë që ai drejton është ngritur një grup i posaçëm pune për thjeshtimin e procedurave tatimore dhe atyre doganore, të cilat në paketën e re fiskale të vitit 2017.

Ndaj ai fton dhomat e biznesit të dërgojnë propozimet që ato kanë brenda datës 20 qershor. Ahmetaj thekson se qeveria është e angazhuar të vazhdojë luftën kundër informalitetit, por njëkohësisht edhe të përmirësoje klimën e biznesit në vend.

“Sikurse jemi njohur tashmë edhe publikisht, qasja jonë kundër informalitetit bazohet në katër shtylla kryesore që përfshijnë strategjinë afatgjatë, planin operacional, thjeshtimin e procedurave dhe fushatën e edukimit dhe të informimit të sipërmarrjes”, vijon letra.

Aksioni kundër informalitetit nisi në shtator të vitit të kaluar, pasi administrata fiskale akumuloi një deficit gati 40 miliardë lekë krahasuar me planin fillestar te buxhetit. Por sipas FMN aksioni tashmë ka filluar të japë rezultatet e para pozitive duke sjellë rritjen e të ardhurave dhe uljen e informalitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA