Ndahet opozita, AAK dhe Nisma lënë vetëm Vetëvendosjen

18/04/2016 12:40

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë vendosur të bashkohen në një koalicion opozitar të veçantë, duke konfirmuar përçarjet dhe mospajtimet me forcën më të madhe opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje.

Të dy kryetarët e këtyre partive, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj firmosën marrëveshjen për një “bosht opozitar”, ku ftojnë të bashkohen edhe anëtarë të shoqërisë civile e personalitete publike.

“Po ndërtojmë koalicionin, që do t’i ofrojë Kosovës ndryshimin. Alternativa politike fituese, që do të ofrojë ndryshimin e gjendjes aktuale në Republikën e Kosovës”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nismës për Kosovën”.

Edhe pse ky veprim zyrtarizon ndarjen me Vetëvendosjen, gjë që ka nisur disa javë më parë me anulimin e protestës së përbashkët të 26 marsit, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj e ftoi sërish Vetëvendosjen t’u bashkohet këtyre dy forcave politike, në protestën që partia e tij organizon më 14 maj.

“Mbi mënyrën sesi duhet të ndodhë kundërshtimi dhe sesi do të duket Kosova në etapën e ardhshme ka dallime. Takimi i sotëm nuk ka për qëllim shpjegimin e këtyre dallimeve, por sikundër jeni në dijeni ka pasur dallime”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Të dielën, në punimet e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku aderoi dhe ish-shefja e grupit parlamentar të AAK, Donika Kadaj-Bujupi, kjo forcë politike deklaroi se nuk do t’i mbështesë protestat, pa marrë sqarime nga Haradinaj e Limaj për “flirtim” me pushtetin, duke iu referuar kështu bisedimeve  me partitë në pushtet, që ata i quajnë shkaktare të krizës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA