
Gara për titullin kampion në kategorinë Superiore ka hyrë në një fazë kulmore dhe për këtë, Federata Shqiptare e Futbollit do të kujdeset më shumë për shpërndarjen e orareve të superndeshjeve që caktojnë objektivat konkret.
Reduktimi i hendekut të pikëve mes Skënderbeut kryesues dhe Partizanit, por gjithashtu gara për vendet e tjera që të çojnë në Europë, sposton dy sfidat kryesore të hënën e 25 prillit.
Pas surprizës së hidhur që vuajti në shtëpi nga Tërbuni dhe që komplikon rikonfirmimin kampion, “Ujqërit e Dëborës” do të luajnë në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet ndaj Tiranës, të hënën në orën 19:00.
Në po të njëjtën ditë, por në orën 16:00, Partizani do të ketë një pengesë akoma më të fortë, pasi do të luajë ndaj Kukësit në transfertë. Vetëm 2 pikë i ndajnë “Demat e kuq” nga ekipi korçar dhe në rastin më të parë që gabon formacioni i Josës, titulli është në rrezik.
Ndërkohë, formacioni i Klodian Duros ka konfirmuar se meriton atë çfarë ki ka rezervuar renditja, dhe do të kërkojë të konsolidojë shkallën më të ulët të podiumit të Superiores.
Një humbje e Kukësit dhe fitorja eventuale e Teutës këtë të shtunë ndaj Tërbunit, barazon bregdetarët dhe verilindorët në kuotë të njëjtë pikësh.
Të dielën do të zhvillohen, ndërkohë, ndeshjet Vllaznia-Flamurtari dhe Bylisi-Laçi, të dyja në orën 16:00.
Top Channel