
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta rihapë çështjen e rrahjes së deputetëve të Vetëvendosjes me deputetin e PDK-së, para Kuvendit të Kosovës më 28 qershor 2012.
Edhe pse të premten ishte parashikuar, që kryetari i trupit gjykues Hysen Ismajli të shpallte aktgjykimin, ai tha se ka vendosur të thërrasë edhe një seancë dëgjimore, për të dëgjuar ekspertin e Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, kjo pasi raporti i tij për lëndimet e deputetit Bekim Haxhiu nuk është në përputhje të plotë me raportin e lëshuar nga Emergjenca.
Të akuzuarit e këtij rasti, kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri dhe deputeti Rexhep Selimi, bashkë me shoferin Besfort Bujupi, nuk ishin të pranishëm në këtë seancë, ku mungoi po ashtu edhe prokurorja e rastit, ndërsa i pranishëm ishte vetëm deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Kryetari i trupit gjykues tha se, seanca e radhës për të dëgjuar sërish raportin mjekoligjor do të mbahet më 20 prill, ndërsa pastaj pritet të shpallet aktgjykimi.
Top Channel