Pa peshëngritës në “Rio 2016”. Dështon edhe Erkand Qerimaj në Europianin e Norvegjisë

13/04/2016 00:00

Pas Briken Caljës edhe Erkand Qerimaj dështon në Europianin e Norvegjisë. Shkodrani, një nga më të mirët që na ka mbetur, nuk arriti të kalojë asnjë provë në stilin e shkëputjes në peshën 77 kg.

27-vjeçari u tërhoq në stilin e shtytjes, duke bërë që emri i tij të renditej jashtë listës përfundimtare të kësaj kategorie. Pas garës, në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, Qerimaj ka shkruar se vendimi për tërheqjen erdhi pas dëmtimit në gju gjatë provave në stilin e shkëputjes.
 
Rezultati zhgënjyes i këtyre dy sportistëve në aktivitetin e fundit kualifikues për në Rio 2016, bën që Shqipëria të mos ketë asnjë peshëngritës të kualifikuar në këto Lojëra Olimpike.

Mundësia e fundit për të patur peshngritës shqiptar në Brazil, janë pjesëmarrja me ftesat që vijnë nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes.

Nëse dhe me ftesa nuk do të marrim pjesë, atëherë kjo do të jetë hera e parë pas 7 Olimpiadash që vendi ynë nuk do të ketë asnjë përfaqësues të shtangës në një aktivitet kaq të rëndësishëm.

Top Channel