Mbrëmja e radhës së NBA mund të konsiderohet si historike për Golden State. Skuadra e Warriors në sfidën e saj mposhti San Antonio Spurs në parketin e këtij të fundit 92-86, gjë që nuk ndodhte që nga 14 shkurti i vitit 1997, duke shënuar fitoren e 72 sezonale, për të barazuar numrin e sukseseve të Chicago Bulls në 1995/1996.
Por jo vetëm kaq. Për Golden State kjo ishte fitorja e 34 jashtë fushe, që përbën një rekord të ri, pasi theu atë të Bulls me 33 fitore jashtë fushe. Në “AT&T Center”, Stephen Curry ishte më i miri në parket, duke e mbyllur sfidën me 37 pikë të shënuara, 26 nga të cilat vetëm në pjesën e dytë. Për San Antonion, kjo ishte disfata e parë e pësuar në shtëpi në këtë sezon.
Sukses regjistroi edhe Indiana Pacers që mundi Brooklyn Nets në Indianapolis 129-105, duke prerë biletën për në fazën e “playoff”-it dhe duke eliminuar përfundimisht Chicago Bulls. Indiana e dominoi totalisht takimin me Brooklyn Nets, duke e vendosur veten në vendin e 7 në Konferencën e Lindjes. Dallas, Houston e Utah janë në një duel në distancë për një vend në fazën e “playoff”-it në Konferencën e Perëndimit. Dallas humbi ndaj Los Angeles Clippers 91-98, por i mjafton vetëm 1 fitore në sfidat e mbetura të sezonit të rregullt për të siguruar kualifikimin në “playoff”.
Ndërsa Houston e Utah nuk duhej të gabonin dhe në fakt të dyja këto skuadra i fituan ndeshjet e tyre respektive ndaj LA Lakers dhe Denver Nuggets.
Top Channel