Indi, 5 të ndaluar për tragjedinë në tempullin hindu

11/04/2016 12:05

5 persona janë ndaluar në Indi në lidhje me shpërthimin dhe zjarrin që përfshiu një tempull hindu në Keralam, ku vdiqën mbi 100 vetë.

Të pesë të shoqëruarit në polici ishin punonjës të tempullit dhe po merren në pyetje lidhur me spektaklin e paautorizuar të fishekzjarreve, që u bë shkak për fatkeqësinë.

Autoritetet kanë urdhëruar sakaq nisjen e një hetimi zyrtar mbi incidentin. Policia është gjithashtu në kërkim të një numri personash që kishin për detyrë menaxhimin e tempullit dhe festivalit.

Rreth 400 persona të tjerë mbetën të plagosur kur stoqet me fishekzjarre shpërthyen papritur. Një ndërtesë brenda tempullit u shemb, duke u marrë jetën shumë njerëzve.

Mijëra vetë ishin mbledhur për të parë spektaklin në kuadër të festivalit të vitit të ri, një traditë për vendasit. Autoritetet deklarojnë se, menaxherëve të tempullit u ishte mohuar për arsye sigurie leja për fishekzjarre, por ata kishin vazhduar me programin.

Kryeministri indian Narendra Modi, që vizitoi vendin e ngjarjes dhe takoi të plagosurit në spital, u shpreh se “tronditja nga ngjarja nuk mund të përshkruhet me fjalë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA