
Bernie Sanders fitoi garën demokrate në shtetin Wyoming, duke i dhënë edhe një tjetër shtysë fushatës së tij elektorale ndaj Hillary Clintonit, përpara se gara t’i drejtohet lindjes së vendit.
Sondazhet e jepnin Sandersin që më herët si fitues në Wyoming, një shtet me të njëjtat tipare si ato që ai ka fituar më herët: rural, perëndimor dhe me popullsi kryesisht të bardhë.
Fitorja në Wyoming është e 8-a në 9 garat e fundit për Sanders dhe, megjithëse në shifra nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim dramatik, përbëjnë një nxitje shumë të madhe morale drejt garës shumë të rëndësishme të 19 prillit në Nju Jork.
Në Wyoming, pavarësisht se mori 55% të votave, Sanders fitoi po 7 delegatë sa dhe Clintoni, e cila ruan avantazhin e saj prej thuajse 300 delegatësh. Sidoqoftë, analistët thonë se të gjitha përpjekjet e Sanders janë përqëndruar në faktin, që të mos lejojë Clintonin të grumbullojë numrin prej 2.383 delagatësh, gjë që do t’i jepte asaj automatikisht kandidaturën presidenciale.
Nëse deri në konventën demokrate, asnjë prej tyre nuk do të ketë arritur këtë shifër, atëherë do të votojnë superdelegatët dhe për pasojë gjithçka mund të ndodhë. Analistët thonë se, Sanders ka shënuar një përparim të ndjeshëm edhe në garën e mbledhjes së fondeve, duke kaluar Hillary Clintonin.
Sipas tyre, këto janë shumë të rëndësishme për të garuar në zonat e bregut lindor, zona me popullsi shumë të madhe dhe sigurisht, me shumë delegatë për t’u fituar, ku paratë janë mjaft të rëndësishme për fushatat mediatike tejet të kushtueshme.
Top Channel