Partizani “ngec” në Vlorë, Tirana mposht Laçin

10/04/2016 00:00

Partizani nuk ka arritur të shfrytëzojë humbjen e Skënderbeut në Kukës. Të kuqtë patën të gjitha mundësitë ta çonin në 3 pikë diferencën, por morën vetëm një barazim 1-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit.

Golit të minutës së 40 nga Sukaj vendasit, edhe pse vonë, iu përgjigjën me anë të Danilo Alves, i cili vulosi rezultatin në 1-1 vetëm 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Ky rezultat nuk i shërben aspak vlonjatëve, të cilët vazhdojnë të jenë mes skuadrave që luftojnë për mbijetesë.

Tre pikë mori edhe Tirana, e cila fitoi 1-0 me Laçin, me gol të shënuar sërish nga Elis Bakaj, që po kalon një formë të shkëlqyer. Me këtë fitore bardheblutë ngjitet në kuotën e 47 pikëve, 1 më pak se Teuta e vendit të katërt.

Pas javës së 29, Skënderbeu vazhdon të jetë në vendin e parë në renditjen e Superiores, por tashmë me 5 pikë diferencë nga Partizani.

Top Channel