Indi, tragjedi me mbi 100 të vdekur nga fishekzjarret në tempull

10/04/2016 00:00

Shpërthimi i fuqishëm dhe zjarri i madh që pasoi, i kushtuan jetën të paktën 100 njerëzve në një tempull hindu në shtetin indian të Keralës.

Shpërthimi u shkaktua nga një grumbull i madh fishekzjarresh, që duhej të përdoreshin si pjesë e festimeve në një festival lokal për vitin e ri.

Sipas policisë vendase, shpërthimi dhe zjarri i fuqishëm bënë që një prej ndërtesave të tempullit të shembej, duke shkaktuar edhe vdekjen e shumë prej viktimave. Mësohet se, mbi 200 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Mijëra njerëz ishin mledhur në tempullin e qytetit bregdetar, Paravur, kur ndodhi shpërthimi. Mediat vendase shfaqën pamjet e tymit të dendur dhe fishekzjarret që shpërthenin në qiell gjatë natës.

Autoritetet vendase thanë se presin rritje të bilancit makabër, pasi shumë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë. Hetimet kanë nisur për shkakun e shpërthimit, që ende nuk dihet, por spekulohet për një gabim njerëzor.

Mediat indiane thanë se, një gjykatës i zonës ia kishte mohuar tempullit lejen për shfaqjen me fishekzjarre, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë dhe ankesave të banorëve. Vitet e kaluara, në shfaqjen me fishekzjarre ishin verifikuar incidente të ndryshme. Por, pavarësisht urdhrit të gjykatës, administrata e tempullit kishte grumbulluar fishekzjarret për t’i përdorur.

Policia tha se po planifikon veprime ligjore ndaj administratës së tempullit dhe kompanive kontraktore, që pavarësisht urdhrit të gjykatës kishin vendosur të përdornin fishekzjarret.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA