Belgjikë, identifikohet terroristi me kapele. Abrini pranon përfshirjen

10/04/2016 00:00

Prokurorët belgë bënë të ditur se, personi i arrestuar të premten pranoi që ishte i dyshuari me kapele, që u shfaq në kamerat e sigurisë, pranë kamikazëve që sulmuan Aeroportin e Brukselit.

Sipas autoriteteve, Mohamed Abrini pranoi se kishte qenë i pranishëm në skenën e sulmeve të 22 marsit. Ai kërkohej gjithashtu edhe në lidhje me sulmet e Parisit, ku humbën jetën 130 persona. Abrini është një prej 6 personave që u arrestuan në Bruksel të premten, 4 prej të cilëve janë paditur me akuza në lidhje me terrorizmin.

Zyrtarët belgë dhe francezë besojnë se, ata që kryen sulmet e nëntorit të shkuar në Paris dhe ato të marsit në Bruksel i përkisnin të njëjtit rrjet terrorist, të mbështetur nga Shteti Islamik. Hetuesit belgë thanë se, 31-vjeçari Abrini, pasi u përball me provat, pranoi se ishte i dyshuari i tretë në sulmet e aeroportit dhe tregoi se, pas daljes nga ndërtesa kishte hequr qafe xhaketën dhe kapelën për të mos rënë në sy.

Këto të dhëna nuk janë konfirmuar ende nga avokati i të dyshuarit. Më herët, hetuesit thanë se gjurmët e gishtave dhe AND-ja e Abrinit ishin gjetur në dy baza të grupit në Bruksel dhe në makinën e përdorur gjatë sulmeve të Parisit.

Konfirmimi, se Abrini është i dyshuari i aeroportit, përbën një zhvillim të rëndësishëm për autoritetet belge, të cilat janë kritikuar ashpër për reagimin e tyre ndaj terrorizmit. Mediat, ndërkohë, shkruajnë se ndalimi i Abrinit nuk e ka ndalur operacionin antiterror që vazhdon në në Belgjikë, ku niveli i gatishmërisë është shumë i lartë.

Top Channel