
Bernie Ecclestone mendon për një zgjidhje të re për formatin e provave zyrtare të Formula 1 për vitin 2017. Bosi i këtij kampionati propozon që vitin e ardhshëm skuadrat të zhvillojnë provat zyrtare të ditëve të shtuna në formën e garës për të përcaktuar klasifikimin e pilotëve në vijën e nisjes në garën e madhe të së dielës.
Ky propozim i ri i Ecclestone vjen në një moment kur polemikat për formatin e provave kualifikuese në Formula 1 u shtuan ndjeshëm. në dy garat e para, ky format u bazua në sistemin e eliminimit të pilotëve më të ngadaltë, por që nuk pati sukses duke detyruar FIA që të kthente formatin e vitit 2015.
“Kemi qenë në kërkim të zgjidhjeve për kualifikueset më shumë se çdo gjë tjetër. Ndoshta të shtunave mund të zhvillojmë gara në vend të provave kualifikluese. Do të studiohet edhe kjo ide, që padyshim do të jetë për vitin e ardhshëm”, tha Ecclestone për Sky Sports.
Bosi i Formula 1 shtoi gjithashtu se duhet treguar kujdes në vendimet për ndryshimet që do të bëhen në mënyrë që te mos përsëriten ato që ndodhën me provat zyrtare në Australi e Bahrein, që rezultuan të ishte një dështim i plotë.
Top Channel