SHBA, piloti vret komandantin në bazën ajrore të Teksasit, më pas vetëvritet

08/04/2016 00:00

Një pilot ka qëlluar për vdekje komandantin e tij e më pas dyshohet të jetë vetëvrarë këtë të premte, në një bazë të Forcave Ajrore amerikane në San Antonio të Teksasit.

Lajmi bëhet i ditur nga një zyrtar i lartë amerikan, i cili ka folur në kushte anonime pasi nuk i lejohej të komentonte mbi ngjarjen, që ndodhi në bazën e San Antonios dhe Lacklandit.

Dy armë zjarri u gjetën pranë trupave të pajetë të dy viktimave, të cilët u gjetën brenda një ndërtese që përdorej herë si shkollë apo mësimore, e herë si zyra, sipas gjeneral brigade Robert LaBrutta, i cili ka për detyrë të mbikëqyrë këtë bazë.

Ai theksoi se të shtënat nuk përbënin një akt terrorizmi, si dhe refuzoi të identifikonte dy viktimat, duke thënë se fillimisht duheshin lajmëruar familjarët e tyre. Zyra e Hetuesve Specialë të Forcave Ajrore ka marrë në duar hetimin e ngjarjes, teksa ndihmohet edhe nga agjentë të FBI-së.

Vrasja e këtyre dy personave është e fundit mes disa ngjarjesh, që kanë ndodhur në mjediset ushtarake të Teksasit përgjatë viteve të fundit.

Në janar të vitit 2015, një ushtarak veteran dhe ish-klerik qëlloi për vdekje një psikolog në një klinikë të Fort Bliss, në El Paso, e më pas u vetëvra. Rreth një vit më parë, 3 ushtarë u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi në Fort Hood pranë Killeen, nga ushtaraku Ivan A. Lopez, i cili gjithashtu u vetëvra. Ndërkohë që, në sulmin më vdekjeprurës të ndodhur në një ambient ushtarak amerikan, 13 persona u vranë dhe 31 u plagosën pas të shtënave masive në Fort Hood në vitin 2009. Nidal Hasan, një ish-major i ushtrisë, u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje për vrasjet.

Top Channel