Samiti për refugjatët në Athinë, Tahiri: Frikë nga terrorizmi

08/04/2016 00:00

Terrorizmi, kriza e refugjatëve dhe lehtësirat që shteti grek duhet të japë tashmë për shqiptarët që jetojnë aty ishin tre pikat që diskutuan ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri dhe ai grek Nikos Toskas.

Ministri Tahiri iu kërkoi autoriteteve greke që të përforcojnë me personel pikat e kalimit kufitar me qëllim shmangien e radhëve dhe pritjes disaorëshe për emigrantët në këto pika.

Tahiri i kërkoi homologut grek që në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme greke të mundësohet sa më shpejt njohja e dokumentava të lëshuara online nga autoritet shqiptare, pasi kanë një nivel të lartë sigurie.

Por refugjatët sirianë dhe lufta ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar kanë qenë një temë e nxehtë e diskutimeve.

“Është kënaqësi të flasim nga afër dhe të këmbejmë ide për çështje të karakterit dypalësh, si dhe për situatën e rendit dhe rreziqet në rajon. Do informoj ministrin rreth situatës së rendit dhe vështirësitë që hasim përditë. Dëshirojmë edhe thellimin e bashëkpumimit mes dy vendeve, për ta bërë atë edhe më të mirë dhe të gjejmë së bashku rrugë dhe strategji të reja për përballjen me krimin”, deklaroi ministri grek Toskas.

“Krizat na ndihmojnë për të kuptuar se ne duhet të jemi bashkë për t’u dhënë atyre zgjidhje dhe se duhet të bashkëpunojmë herët përpara se të jetë vonë. Bashkëpunimi ynë nuk kufizohet vetëm te çështjet imediate, si ajo e refugjatëve, por ka një diapazon shumë më të gjerë. Sepse nuk duhet të presim kur kriza të trokasë në derën tonë për të kuptuar që duhet bashkëpunim. Ne duhet të sigurohemi që nëpërmjet krizës së refugjatëve, elementë terroristë të mos kërcënojnë shoqëritë tona. Duke ndërtuar siguri këtu, kemi garantuar siguri shumë më gjerë”, tha nga ana e tij Tahiri.

Top Channel