Papa Françesku: Paragjykoni më pak; Sinjale për ndryshim ndaj të divorcuarve

08/04/2016 00:00

Quhet “Amoris Laetizia”, thirrja apostolike e nënshkruar më 19 mars dhe e botuar sot, dokument prej 9 kapitujsh, me të cilin Papa Françesku sanskionon qëndrimin dhe analizën e tij mbi çështjet e familjes.

E reja më e bujshme ështe hapja e dyerve të Kishës Katolike, për ata që jetojnë në rrethana familjare të cilësuara “të parregullta”, si personat e divorcuar dhe ata që janë martuar më shumë se një herë.

Është një ritheksim i asaj çfarë ishte shprehur edhe gjatë dy sinodave: Duhet vlerësuar me kujdes, sipas rastit, për t’i rihapur dyert e Kishës këtyre personave, kryesisht atyre që kanë pësuar në mënyrë të padrejtë zgjedhjen e bashkëshortit apo bashkëshortes. Të divorcuarit që janë rimartuar nuk duhet të ndihen të shkishëruar, por duhet të shoqërohen me respekt të madh.

Papa Françesku kërkon një tërheqje autokritike lidhur me qëndrimet e ngurta të së kaluarës, teksa hap mundësinë edhe të kungimit për të divorcuarit. Por, qëndrimi i Papa Bergoglios është shumë diplomatik nga njëra anë, lidhur me homoseksualët, kur ai shkruan:

“Çdo person, pavarësisht nga orientimi i tij seksual, duhet respektuar dhe pranuar me respekt”. Nga ana tjetër, ashtu siç pritej, ai tregohet i prerë kundër përdorimit të kontraceptivëve, abortit dhe dhunës kundër grave.

Top Channel