Numër të lartë çështjesh për gjykim që rritet nga viti në vit, reflektuan të dhënat statistikore të gjykatës së Apelit dhe shkallës së parë të Tiranës. Por për ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, këto të dhëna ndonëse tregojne nivelin e punës, nuk u shërbejnë për asgjë qytetarëve.
“Jashtë kësaj salle këto statistika nukvlejnë. Sepse statistika është si ajo garuzhda bosh që përpiqemi të ushqejmë njerëzit”, tha Manjani.
Por pavarësisht këtij fakti dhe perceptimit për një nivel të lartë të korrupsionit dhe nevojës për një reformim rrënjësor të sitemit gjyqësor, Manjani ka treguar edhe anën tjetër të vizionit të tij për trajtimin e gjyqtarëve.
“Kam qënë që në fillim dhe jam përkrahës i pikëpamjes që gjyqtari më i ri në detyrë që fillon punë në sistemin gjyqësor dhe për staturë, por edhe për vlerësim duhet ta ketë rrogën të paktën 1 lek më shumë se presidenti i Republikës”, tha më tej Manjani.
Sa i takon problematikave, që u diskutuan, Manjani veçoi atë të përmbaruesve në ekzekutimin e kolateraleve për kreditë e këqija, që shpesh herë pengohen nga procedurat e gjyqësorit.
Madje Manjani parlajmëroi edhe një nismë ligjore për këtë problematikë.
“Një paketë ligjore që do të duhet të forcojë më së pari rolin e përmbaruesit, sepse mesazhi që duam të japim është ky: Kush ka marrë kredi, duhet ta kthejë mbrapsht, qindarkë më qindarkë”, vijoi më tej ministri.
Në analizë u raportua edhe puna e gjykatave që janë nën varësi e Apelit të Tiranës.
Top Channel