“Letrat e Panamasë”, Podesta e përzierë me paratë e Putinit

08/04/2016 00:00

“Podesta Group” nuk i është përgjigjur deri më tani asnjë kërkese të shtypit për komente nga ana e tij, pas daljes në dritë të lidhjeve me njërën prej bankave më të mëdha ruse, emri i së cilës figuron në dosjet e “Mossack Fonseca”-s, duke e bërë pjesë të megaskandalit të botës së financës.

Përpos vet kompanisë së famshme të lobimit, një goditje të fortë imazhi ka marrë në këtë mes edhe pretendentja kryesore për nominimin demokrat në Shtetet e Bashkuara, të cilës John dhe Toni Podesta i drejtojnë fushatën: Hillary Clinton.

Titujt e një pjese të shtypit janë të ashpër. “Panama Papers nxjerrin në dritë lidhjet e Clintonit me Kremlinin”, thotë “the Observer”; “Panama Papers ekspozon lidhjet e Clintonit”, shkruan “Daily Caller”; “Shefi i fushatës së Clintonit ka një lidhje me rusët”, është titulli i një artikulli të “New Europe”.

Pirgu i paprecedentë i dokumenteve nga arkivi i firmës ligjore në hije, që rregullon lojërat me taksat e mbase edhe pastrimin e parave, dëshmon mes të tjerash sesi përfunduan elitat ruse të krimbura në parà. Një prej fakteve më të rëndësishme të evidentuara aty iu referohet manovrave të bankës me Podestën, lobist në Uashington, shërbimet e të cilit i ka përdorur edhe Qeveria “Berisha” për të përmirësuar imazhin e saj në botë.

Mes degëve të “Sberbank”-ut të përfaqësuara nga Podesta është “Troika Dialog Group Limited” ne Ishujt Cayman; “SBGB Cyprus Limited” me seli në Qipro; si dhe “SB International” me bazë në Luksemburg.

Nga sa raportoi këtë javë “Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë” (ICIJ), “Sberbank” dhe “Troika Dialog” përdoren nga pjesëtarë të rrethit të ngushtë të Putinit për të kanalizuar fonde publike në investime të dyshimta private.

Ka një sërë marrëveshjes mes “Troika Dialog” dhe kompanive “offshore” të lidhura me bashkëpunëtorin e Vladimir Putinit, Sergei Roldugin, thuhet në raport. Aty ndryshojnë datat, emrat e firmave apo shumat e parave, por thelbi është po ai: kompanitë në fjalë kishin privilegjin të kontrollonin pjesë të mëdha të sipërmarrjeve strategjike ruse, të merrnin dividentë e të blinin aksionet për shuma qesharake parash.

Top Channel