
Ishte nga emrat e parë të bërë publik pas shpërthimit të skandalit dhe tani, Presidenti i Argjentinës duhet të shpjegojë përpara prokurorëve se, përse figuron në dosjet e “Mossac Fonseca”-s.
“Nuk kam asgjë për të fshehur”, deklaroi Mauricio Macri, i vendosur të dëshmojë pafajësinë e tij. Sipas raporteve në mediat lokale, Macri figuron si drejtues i një kompanie “offshore” në Bahamas. Përmes një prononcimi në televizion, kreu i shtetit argjentinas u zotua ta provojë se nuk ka kryer asnjë shkelje.
“E di se ka njerëz të shqetësuar nga pretendimet e ‘Panama Papers’ të lidhura me personin tim. Dua t’iu them të gjithëve ju se jam shumë i qetë, se kam zbatuar ligjin në çdo hap timin, kam thënë të vërtetën e nuk ka asgjë për të fshehur”, tha Mauricio Macri, President i Argjentinës.
Presidenti argjentinas është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë në çdo hetim dhe është përpjekur me çdo kusht të sqarojë se, nuk ka aksione e nuk marrë ndonjë pagesë për veprimtarinë si drejtues i kompanive “offshore”.
Sipas zyrës së tij, firmën në fjalë e kishte krijuar një grup biznesi në pronësi të familjes Macri. Por, meqenëse vet kreu i shtetit nuk përfitonte të ardhura nga kjo kompani, atëherë nuk e kishte parë të arsyeshme që ta përmendte në deklarimet e tij financiare.
Top Channel