“Bloomberg”: Turizmi, në një krizë të paprecedentë. Ja faktorët kërcënues

08/04/2016 00:00

“Agjencitë e udhëtimeve duhet të ishin në ditët e tyre më të mira, por për fat të keq nuk janë”, shkruan një analizë e “Bloomberg”. Shtresa e mesme e Kinës është e etur për të parë botën, ulja e çmimit të naftës në botë lë gjithashtu më shumë vend për të kursyer parà, kështu që këto të ardhura do të mund të shpenzoheshin për udhëtime. Edhe situata financiare globale po kërkon ritëm që të rimarrë veten.

Por “Bloomberg” paraqet 3 faktorë, që konsiderohen si kërcënues për industrinë e turizmit. Ato janë: terrorizmi, fluksi i refugjatëve, si dhe thirrja e Donald Trump për të përjashtuar myslimanët.

Përfaqësuesit e këtij sektori janë mbledhur në Dallas, ku shefi ekzekutiv i Këshillit Botëror për Turizmin tha se, kombinimi i këtyre faktorëve po krijon një krizë të paprecedentë në turizëm.

Ndërsa Europa po mundohet të forcojë sigurinë dhe politikën e emigracionit, po kërcënohet gjithashtu edhe “Schengen”-i. Frika e terrorizmit po largon turistët nga zemra e Europës, ndërsa kriza e regugjatëve në Mesdhe po pakëson udhëtimet me anije.

Thirrjet e vazhdueshme të politikanëve për të mbyllur kufijtë, si në Europë edhe në SHBA, ku Donald Trump është zotuar për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në vend, si dhe ka shprehur vullnetin për të ngritur një mur të madh ndarës me Meksikën, do të ulin në mënyrë të drejtpërdrejtë fluksin e lëvizjeve.

Top Channel