
Pas mbylljes së itinerarit ballkanik, numri i refugjatëve në Gjermani ka rënë ndjeshëm. Niveli i kërkesave për azil, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” është rritur, por ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere thotë se, kjo nuk ka të bëjë me të ardhurit e rinj, të cilët janë shumë më të paktë.
Duke iu referuar sistemit për regjistrimin e të dhënave “EASY-System”, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere njoftoi në Berlin se, përgjatë muajit që shkoi, në Gjermani hynë vetëm 20 mijë emigrantë, në një kohë kur jo më larg sesa shkurti, numri i tyre kapërcente 60 mijë.
Në janar, sistemi “EASY” regjistroi 90 mijë refugjatë, ndërsa dhjetorin e kaluar, të mbërriturit ishin 120 mijë. Megjithatë, De Maiziere shtoi se është ende shpejt për të bërë një prognozë të situatës në vazhdim. “Ende nuk e dimë sesi do të ecë zbatimi i marrëveshjes BE-Turqi, – u shpreh ai, – e po kështu nuk llogarisim dot me saktësi se çfarë rrugësh të tjera mund të ndjekin refugjatët”.
Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Muller deklaroi nga ana tjetër se, janë të mëdha gjasat e një vale të re emigrantësh nga Afrika në Europë. “Sipas informacioneve tona, vetëm në Libi presin 100 mijë deri në 200 mijë afrikanë nga shtetet në jug të Saharasë, për një mundësi kalimi në Europë”, pohoi ai për gazetën e Dyseldorfit, “Rheinische Post”.
Politikani i CSU-së shtoi se, bandat e kontrabandistëve kanë kaluar plotësisht në shërbim, ndërsa shtoi se, qeverisë libjane në këto momente i nevojitet autoritet, institucione, trajnim i policisë, si dhe zgjerimi i kapacitetit të rojeve bregdetare.
Top Channel