
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë janë zhvilluar paraditen e sotme homazhet në nder të dy pilotëve Donald Hoxha dhe Florian Deliaj, që humbën jetën një ditë më parë.
Të pranishëm, përveç familjarëve, të afërmve dhe miqve të të ndjerëve kanë qenë edhe shumë oficerë të Forcave të Armatosura, si dhe të strukturave të ndryshme të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministra e politikanë që u kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjarëve të viktimave. Duke mbajtur fjalimin në emër të qeverisë, zv.kryeministri Niko Peleshi ka vlerësuar përgatitjen e dy ushtarakëve, para përkushtimit të të cilëve, siç tha ai, duhet të përkulemi të gjithë.
“Floriani dhe Donaldi ishin ushtarë karriere të përgatitur brenda dhe jashtë vendit. Sot përulemi para dy pilotëve që ranë në krye të detyrës. Të përballosh standardet e NATO-s sot është një sfidë e vërtetë. Familjarët e dy pilotëve do të mbajnë kujtim përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre”, ka thënë Peleshi.
Kapitet Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha humbën jetën një ditë më parë pasi helikopteri me të cilin po kryenin një seancë stërvitore u rrëzua në Liqenin e Shkodrës. Në këtë aksident mbeti i plagosur edhe ushtari profesionist Gerald Baramuça.
Top Channel