Tahiri nga Athina: Qeveria po punon t’u kthejë borxhin emigrantëve

07/04/2016 00:00

Pas takimeve me emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, në një lidhje direkte nga Athina, se qeveria është duke u përpjekur për t’u kthyer një borxh prej vitesh të pashlyer.

Regjistrimi i emigrantëve është një mekanizëm për t’u shërbyer në vendet ku jetojnë.

“Ne besojmë shumë se mënyra më e mirë për të kthyer këtë borxh mbrapsht është për t’i shërbyer emigrantëve me sa më shumë cilësi, me transparencë, mbi të gjitha duke zhdukur kostot që kanë pasur deri më sot”, tha Tahiri.

Qeveria kërkon që ata të jenë gati të votojnë që në zgjedhjet e ardhshme ndaj Tahiri kërkon edhe dakordësinë e opozitës.

“Fillojmë me shërbimet kryesore, që kanë të bëjnë me shërbimet konsullore dhe shërbimet e tjera për emigrantët. Synojmë që të zvogëlojmë tarifat vendore për emigrantët dhe të ndreqim çdo mangësi në sistem, që sot i shkakton kosto të pamerituar emigrantëve”, u shpreh Tahiri.

Të premten, ministri i Brendshëm takon homologun grek, ku do të diskutohet edhe çështja e refugjatëve sirianë.

“Pikësëpari, të ndërtojmë një plan të koordinuar ndërmjet njëri-tjetrit. Të jemi ne në gjendje të bashkëpunojmë më mirë, për të garantuar që edhe t’i përgjigjemi sfidës së përbashkët”, tha nga Athina Tahiri.

Top Channel