
Presidenti rus Vladimir Putin mohoi pretendimet, që e lidhin emrin e tij me të ashtuquajturat “Panama Papers”, duke bërë përgjegjës kundërshtarët e tij perëndimorë, që – siç tha, – po përpiqen të destabilizojnë Rusinë.
Putin foli për herë të parë pas rrjedhjes së miliona dokumenteve konfidenciale nga firma ligjore panameze “Mossack Fonseca”. Dokumentet zbuluan një numër kompanish “offshore” të zotëruara nga bashkëpunëtorë të ngushtë të Putinit. Ato sugjerojnë se, kompanitë mund të jenë përdorur për pastrim parash.
“Kundërshtarët perëndimorë janë të shqetësuar për unitetin dhe solidaritetin e shtetit rus, e për këtë arsye po përpiqen të na lëkundin nga brenda, për të na nënshtruar”, tha presidenti rus gjatë një interviste televizive.
Sipas Putinit, pasi nuk mundën ta gjenin emrin e tij në dokumentet e Panamasë, shpikën atë që e quajti një produkt informacioni. Në dokumente përmendet miku i ngushtë dhe nuni i vajzës së presidentit rus, violinçelisti Sergei Roldugin, që – siç mësohet – është pronar i dy firmave “offshore” të përfshira në një numër marrëveshjesh të dyshimta. Roldugin nuk ka komentuar ende publikisht lidhur me pretendimet.
Gjatë intervistës, Putin nuk përmendi detaje të akuzave kundër Roldugin, apo interesave të tjera ruse në kompani “offshore”, por ai e vlerësoi shokun e tij, duke thënë se ndihej krenar për njerëz si ai, të cilët kanë shpenzuar paratë e fituara për instrumente muzikore dhe donacione për institucionet shtetërore.
Një sërë vendesh kanë nisur hetimet për krime të mundshme financiare nga personat e pasur e të pushtetshëm, pas rrjedhjes kolosale të informacioneve nga “Mossack Fonseca”. Kryeministri islandez dha dorëheqjen më herët gjatë javës, pasi u bë e ditur se ishte pronar i një kompanie “offshore” bashkë me gruan e tij dhe se, nuk e kishte deklaruar atë kur kishte hyrë në Parlament.
Mbi 11 milionë dokumentet, që ranë në duart e gazetarëve, zbuluan se “Mossac Fonseca” kishte ndihmuar disa klientë t’iu shmangeshin taksave dhe sanksioneve, edhe pse firma mohon të ketë shkelur ligjin.
Top Channel