Siri, IS merr peng 300 punonjës të një fabrike çimentoje

07/04/2016 00:00

Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë marrë peng 300 punonjës të një fabrike çimentoje në zonën verilindore të Damaskut, ku xhihadistët kanë nisur gjatë kësaj jave një mësymje kundër forcave qeveritare. Lajmi bëhet i ditur nga televizioni shtetëror sirian.

Punonjësit dhe kontraktorët e kompanisë “Al Badia Cement” janë rrëmbyer pranë rajonit Dumeir, ndërsa punëdhënësi i tyre raportohet të ketë humbur kontaktet me ta, citohet të ketë thënë ministri sirian i Industrisë.

Luftime të ashpra kanë shpërthyer mesnatën mes të mërkurës dhe së enjtes përreth Dumeirit dhe aeroportit ushtarak të tij, 50 km në verilindje të kryeqytetit, vetëm pak pasi militantët e Shtetit Islamik nisën sulmet ndaj zonave qeveritare në verilindje të kryeqytetit.

Burime nga opozita në periferitë rurale lindore të Damaskut thonë se një pjesë e konsiderueshme e Dumeirit, që ishte deri pak kohë më parë në duart e grupeve rebele, ka rënë nën kontrollin e militantëve, të cilët kanë qëlluar edhe ndaj civilëve që dolën të protestonin kundër pranisë së tyre.

Qindra familje kanë braktisur shtëpitë e tyre që prej nisjes së luftimeve të fundit, bëjnë të ditur burime me informacione nga situata për “Reuters”.

Sulmet e së martës dhe të mërkurës përfshijnë edhe shpërthimin e autobombave përreth aeroportit ushtarak të Dumeirit, si dhe sulmin në stacionin elektrik të Tishrinit.

Forcat siriane dhe ato aleate të mbështetura nga sulmet ajrore ruse, detyruan këtë javë militantët e Shtetit Islamik të largoheshin nga al-Qaryatain, një zonë midis Damaskut dhe qytetit antik të Palmirës, edhe kjo e fundit e çliruar nga forcat qeveritare javën e kaluar.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Londër që monitoron konfliktin thuajse 5-vjeçar në Siri, bëri të ditur të mërkurën humbjen e kontakteve me punonjësit e fabrikës së çimentos, por se nuk dihej çfarë u kishte ndodhur atyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA