Sanders përshkallëzon retorikën: Clinton nuk kualifikohet për Presidente

07/04/2016 00:00

Bernie Sanders deklaroi se, rivalja e tij në garën për kandidaturën presidenciale brenda Partisë Demokratike, Hillary Clinton nuk është e kualifikuar për të qenë presidente e vendit. Duke shënuar një përshkallëzim të fortë në retorikën e garës demokrate, Sanders tha se Clinton po bëhet së fundmi gjithnjë e më shumë nervoze.

“Unë nuk mendoj se Clinton është e kualifikuar për t’u bërë Presidente e SHBA-ve. Ajo s’mund të jetë e kualifikuar, nëse përmes komitetit të saj politik ka marrë dhjetëra milionë dollarë fonde. Nuk mund të jesh i kualifikuar për t’u bërë President i SHBA, nëse merr 15 milionë dollarë fonde nga Wall Street”, tha Bernie Sanders.

Reagimi i tij ishte një përgjigje ndaj deklaratave të mëparshme të Clintonit, e cila nuk e cilësoi drejtpërdrejt atë si pakualifikuar për Presidencën, por bëri një lojë fjalësh duke thënë se, prej një viti ai flet që do të bëjë gjëra që nuk i kupton. Clinton dhe Sanders, në fund të muajit do të përballen në garën zgjedhore të Nju Jorkut, shumë e rëndësishme për fatin e kandidaturës presidenciale, ndaj dhe dyshja po angazhohet në debate gjithnjë e më të forta. Sidoqoftë, Sanders i mëshoi tezës së tij se, Clinton nuk është e kualifikuar për Presidencën dhe nuk mund të ishte më i qartë.

“Nuk mendoj se je i kualifikuar për Presidencën, nëse ke votuar pro luftës shkatërrimtare në Irak. Nuk mund të jesh i kualifikuar, nëse ke votuar pro çdo marrëveshjeje katastrofike tregtare, që na ka kushtuar miliona vende pune. Nuk mund të jesh i kualifikuar për Presidencën, nëse ke mbështetur marrëveshjen e tregtisë së lirë me Panamanë, diçka që unë e kam kundërshtuar fuqishëm. Kjo marrëveshje i lejoi koorporatat dhe të pasurit në të gjithë botën, që të shmangin taksat në vendet e tyre”, tha Bernie Sanders.

Pavarësisht fitoreve të fundit, ekspertët mendojnë se, Sanders ka mundësi të ulëta që të marrë kandidaturën, por me garat e rëndësishme të Nju Jorkut dhe Pensilvanisë përpara, e përderisa matematika e lejon ende, gjithçka mund të ndodhë.

Top Channel