Përfaqësuesja e “Albanides Energy”: S’ka kalim aksionesh, por shkrirje

07/04/2016 00:00

Në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar kontrata mes Agjencisë së Burimeve Natyrore dhe kompanisë “Albanides Energy” për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë në “Bllokun numër 8”, që përfshin verilindjen e vendit.

Sipas ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Albanides Energy” është regjistruar në Shqipëri në vitin 2010 dhe aktualisht ka përfaqësues ligjor zonjën Arta Danaj. Vetë shoqëria është në pronësi të “Dinaric International Energy”, që sipas agjencisë “Bloomberg” është një kompani “offshore” në Ishujt Virgin, vend i njohur si parajsë fiskale. Të dhëna mbi aksionerët dhe bordin nuk ka.

Kontrata e dhënë nga autoritetet shqiptare për “Albanides Energy” është transferuar disa herë, që prej kohës së negociimit me AKBN-në, që ka nisur në vitin 2014, përpara se të miratohej nga qeveria kontrata përfundimtare.

Arta Danaj, Administratore e “Albanides Energy”, kompania që ka koncesionin e bllokut 8, deklaroi se nuk bëhet fjalë për kalim aksionesh të kësaj kompania tek një tjetër, por për shkrirje korporatash.

Duke folur në lidhje të drejtpërdrejtë në Top Story këtë të enjte në Top Channel, ajo mohoi të jetë cënuar interesi publik në këtë shkrirje dhe thotë se është bërë strukturim, një organizim që ka shkrirë 3 kompani në 1 pas 6 viteve veprimtari me aksionerë të njëjtë.

“Nuk është cënuar interesi publik dhe nuk është transferim, por bashkim kompanish. Nuk ka patur kalim, por bashkim korporatash. Çdo aset që kanë patur korporatat janë analizuar me vëmendje dhe asetet e Shqipërisë sepse ka edhe disa licenca minerare në Shqipëri. Të gjitha këto janë analizuar më vëmendje”, u shpreh Danaj.

Top Channel