
Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë mbështetjen ndaj marrëveshjes së BE-së për lidhje më të ngushta me Ukrainën, pavarësisht refuzimit që i bënë holandezët paktit përmes një referendumi.
Një angazhim i tillë vjen nga Presidenti francez, Francois Hollande, gjatë një takimi të përbashkët të dy qeverive, që shtoi se akordi duhet të aplikohet në të dyja vendet. Takimi i zhvilluar në Metz, në lindje të Francës, pati në qendër të diskutimeve ekonominë europiane, evazionin fiskal, antiterrorizmin dhe krizën e refugjatëve.
Të dy krerët e shteteve theksuan nevojën për të siguruar kufijtë e jashtëm të BE-së, por edhe nevojën për të rihapur kufijtë e brendshëm, pas mbylljes së disa të tillëve për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.
“Duhet t’u rikthehemi sa më shpejt të jetë e mundur procedurave të ‘Schengen’-it, ndërkohë që të garantojmë edhe rikthimin e dinjitetshëm të atyre që nuk patën mundësi për t’u strehuar në Europë. Ky është edhe thelbi i asaj çfarë është arritur në akordin mes BE-së dhe Turqisë për emigrantët e ndodhur në Greqi”, tha Francois Hollande gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
“Për arsye sigurie, sikurse edhe për nevojën për të rifituar besimin e popujve, ne duhet të tregojmë se mundemi të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm. Siç mund ta shihni, territori i Europës është i ndryshëm. Në kuptimin që kufijtë detarë janë më të vështirë për t’u mbrojtur sesa kufijtë tokësorë; e për këtë nevojitet bashkëpunimi me fqinjët tanë. Kjo gjë aplikohet me Turqinë tashmë, si dhe duhet aplikuar edhe në rastin e Libisë”, shtoi Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Franca e Gjermania kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për qeverinë e unitetit të Libisë, që po has pengesa për të rishpallur autoritetin e saj nga Tripoli. Presidenti francez tha se, Libia në kaos u jep trafikantëve të qenieve njerëzore mundësinë që të sjellin dhjetëra mijëra njerëz në Europë.
Top Channel