Lufta kundër terrorizmit, SHBA: Europa shpërfill ndihmën tonë

07/04/2016 00:00

Europa mund të bëjë më shumë për identifikimin e terroristëve, pasi nuk po i shfrytëzon plotësisht mjetet e ofruara nga SHBA-të për këtë qëllim. Kështu mendon Christopher Piehota, drejtori i Qendrës për Shqyrtimin e Terroristëve.

“Ne u ofrojmë atyre mjete e mbështetje, ndaj dhe është shqetësuese, që ata nuk i përdorin për të forcuar sigurinë e tyre”, tha ai në një intervistë ekskluzive për CNN.

Shtetet e Bashkuara – sipas tij, – kanë ndarë me vendet europiane listën me personat e mbajtur nën vëzhgim, por këto vende nuk e përdorin sistematikisht atë për të identifikuar terroristët e dyshuar, apo për të shqyrtuar emigrantët që hyjnë në kontinentin e vjetër.

“Bashkimi Europian nuk e përdor bazën qendrore të të dhënave për terrorizmin. Çdo vend i referohet listës së tij të personave të dyshuar, e cila është hartuar sipas standardeve të veçanta për gjurmimin e terroristëve. Për më tepër, 26 vendet që operojnë brenda hapësirës ‘Schengen’ nuk kryejnë kontrolle rutinë kufitare”, thotë më tej eksperti i terrorizmit.

Shqetësim kryesor për SHBA-të përbëjnë shtetasit e huaj, që nuk shfaqen në asnjë listë mbikëqyrjeje, e që mund të hyjnë pa problem në Amerikë nga vendet pa viza, për të kryer ndonjë sulm. Zyrtarë të Antiterrorit, si Piehota, besojnë gjithashtu se terroristë të ISIS-it janë ende në Europë dhe po planifikojnë sulme të tjera.

Shefi i Antiterrorizmit të Bashkimit Europian, Gilles de Kerchove pranoi për CNN se, ishte në dijeni të problemeve që ekzistojnë në nxitjen e vendeve anëtare drejt veprimit. Sipas tij është shënuar progres, por jo aq shpejt sa nevojitet.

Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë e shkëmbimit të informacioneve për pasagjerët prej të paktën 6 viteve dhe PE pritet të konsiderojë një masë që ka lidhje me këtë çështje këtë muaj. Por, disa shtete anëtare kundërshtojnë idenë për shkaqe privatësie.

Top Channel