Disa muaj para zgjedhjeve, Putin krijon Gardën e re Kombëtare

07/04/2016 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi krijimin e Gardës së re Kombëtare, që sipas tij do të luftojë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Kjo forcë do të përbëhet nga trupa te Ministrisë së Brendshme dhe do të drejtohet nga ish-truproja e Putinit, Viktor Zolotov, i cili do raportoje direkt tek Presidenti.

Zëdhënësi i liderit të Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Garda Kombëtare mund të përdoret për të ruajtur rendin publik, por ai mohoi se krijimi i saj kishte lidhje me zgjedhjet e shtatorit.

Disa kritikë mendojnë se Putini i druhet trazirave. I pari i Moskës paralajmëroi në muajin shkurt se ata që i cilësoi si armiqtë përtej kufirit po bëheshin gati të ndërhynin në zgjedhjet e 18 shtatorit dhe tha për shërbimet e sigurisë në vend se përpjekje të tilla duhet të ndaleshin.

Moska akuzon prej kohësh Perëndimin se po përpiqet të influencojë në zgjedhjet ruse përmes inkurajimit të protestave, një akuzë kjo që mohohet nga zyrtarët amerikanë dhe europianë.

Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit rus dhe në qytetet e tjera pas zgjedhjeve parlamentare të 2011-s, mes pretendimeve për manipulime. Dhjetëra eksponentë të opozitës u arrestuan dhe u burgosën.

Vendimi i Putinit për të emëruar si shef shtabi të Gardës së re Kombëtare Zolotovin, sipas analistëve lidhet me marrëdhënien e ngushtë që ekziston mes të dyve dhe besnikërinë e ish-truprojës ndaj Presidentit rus.

Për 62-vjeçarin dihet shumë pak. Ai zakonisht qëndron larg vëmendjes mediatike dhe nuk para lëshon deklarata politike. I lindur në një familje punëtorësh, Zolotov e nisi karrierën si bravandreqës në një servis makinash, duke ju bashkuar më vonë KGB-së.

Për 20 vite punoi si truproje në Agjencinë sovjetike të Sigurisë. Kur Putin u emërua kryeministër në vitin 1999, Zolotov u emërua në krye të enturazhit të tij të sigurisë, duke e mbajtur këtë post deri në vitin 2013 kur u transferua në Ministrinë e Brendshme.

Si shef i shtabit të Gardës Kombëtare, Zolotov, ka siguruar tani një karrige në Këshillin e Sigurisë në Rusi. Kjo nënkupton se ai do të anashkalojë ministrin e Brendshëm duke raportuar drejtpërdrejtë tek Presidenti.

Top Channel