Integrimi, Fajon: Shqipëria, pjesë e Europës. Rama: BE, e vetmja rrugë

06/04/2016 18:50

Në selinë e Kryeministrisë është mbajtur pasditen e sotme takimi me titullin “Brezat e rinj, Europa e bashkuar”, në fokus të të cilit kanë qenë sfidat e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

E pranishme në këtë event, eurodeputetja Tanja Fajon ka vlerësuar se Shqipëria ka bërë progrese në këtë rrugë dhe pa asnjë dyshim ajo e ka vendin në BE.

“Ju keni arritur rezultate mjaft domethënëse gjatë vitit të kaluar për 5 pikat kryesore dhe mesazhi im është të bëni më shumë. Ne po përpiqemi t’ju mbështesim bashkë me kolegët e Parlamentit Europian”, ka thënë Fajon.

Ajo ka nënvizuar se, pavarësisht paqartësive të cilat dominojnë sot në Bashkimin Europian, vendi i Shqipërisë në të është i padiskutueshëm dhe kjo në interes të vetë bllokut 27-anëtarësh.

“Për mua, Shqipëria ka qenë dhe është pjesë e Europës. I duhemi njëri-tjetrit. Situata e sotme që po përjetojmë, nga njëra krizë në tjetrën, është diçka që në fund të ditës asnjë vend në Europë nuk mund t’i zgjidhë i vetëm”, ka thënë Fajon.

Ajo është shprehur më tej se ka mjaft shpresa tek të rinjtë në Shqipëri dhe pret që vemndi t’i kalojë sfidat e anëtarësimit. “Unë do të jem në anën tuaj”, ka premtuar Fajon.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij ka vlerësuar se aktualisht Shqipëria është në fazën e lënies pas të zhvillimit kaotik të 25 viteve të fundit.

“Fakti që sot, pas 25 vjetësh, jemi të përfshirë në një reformë si ajo e drejtësisë flet vetë për çfarë na mungon. Dhe çfarë na mungon në sistemin e drejtësisë na mungon në të gjitha sistemet që bëjnë të funksionojë shtetin”, ka thënë Rama.

Kreu i qeverisë e ka vlerësuar integrimin si një proces jetik, që ka mbajtur sipas tij vendin në binarët e duhur, pa e lejuar të devijojë tërësisht nga e ardhmja që presin të rinjtë.

“Një gjë është e sigurt, se pa procesin e integrimit Shqipëria do ta kishte pasur të pamundur të hidhte hapat që ka hedhur dhe të synonte të bëhej një vend modern. Ajo do të kishte mbetur në duart e atyre politikanëve dhe rrethit të tyre”, ka thënë Rama.

Në opinionin e tij, “sot kemi një Europë pa një projekt të plotë që e bën atë dizfunksionale”. “Parimet që hodhën themelet e Europës sot janë shkërmoqur”, ka thënë Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA