“Për fat të keq duhet të falënderoj një demokrat”, batuta e Ramës për rektorin e Bujqësorit: As ai as unë s’kemi më flokë në kokë, kemi vetëm…
Presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka shprehur “dhimbjen e thellë” për dy viktimat e shkaktuara nga rënia e helikopterit ushtarak sot në mesditë, në Liqenin e Shkodrës.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e rrëzimit aksidental të helikopterit ushtarak në ujërat e Liqenit të Shkodrës, si dhe për humbjet e jetëve të vyera të kapitenit Florian Deliaj dhe togerit Donald Hoxha”, thotë Nishani në reagimin e tij.
Në cilësinë e kreut të shtetit por dhe atë të komandantit të përgjithshëm të FA, Nishani ka shprehur ngushëllimet më të ndiera familjarëve dhe të afërmve të dy ushtarakëve të rënë në krye të detyrës, duke i siguruar njëkohësisht se gjendet pranë tyre shpirtërisht në këto çaste të rënda e të trishtuara.
“Në të njëjtën kohë i uroj shërim të shpejtë edhe ushtarit të lënduar në këtë aksident tragjik, Gerald Baramuça”, ka thënë Nishani. Ai shton më tej se, “Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura do të jenë ngahera krenare dhe mirënjohëse përjetësisht për sakrificat dhe vetëmohimin e ushtarakëve tanë”.
Rama: Nderim heronjve, i shërbyen atdheut
Edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur pikëllimin e tij për ngjarjen përmes një mesazhi në Facebook. “Kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha i shërbyen atdheut me profesionalizëm e përkushtim. Nderim për ta, ngushëllime familjeve të tyre”, është shprehur Rama.
Kodheli për humbjen e dy ushtarakëve: Dhimbje!
Rënia e dy pilotëve të ushtrisë në aksidentin e ndodhur mesditën e së mërkurës në Shkodër, ka pikëlluar edhe ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja shkruan: “Floriani dhe Donaldi ishin të destinuar për të qëndruar në qiell. Qielli ishte puna, detyra, pasioni i tyre. Atje lart u prehshin! Dhimbje, pikëllim, trishtim për humbjen e dy ushtarakëve të devotshëm, dy pilotëve të talentuar, dy djemve model për shoqërinë. E kishin jetën përpara, por ranë në lule të moshës, në krye të detyrës. Nuk kam fjalë të ngushëlloj nënat e tyre. Vuaj bashkë me to. I shërbyen vendit dhe dhanë jetën për të. Lutem për shpirtin e tyre!”.
Në fund, Kodheli uron shërim të shpejtë të mbijetuarit të vetëm nga rrëzimi i Helikopterit mbi Liqenin e Shkodrës.
Basha: Lajm tronditës. Jemi pranë familjarëve të viktimave
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pasditen e sotme lidhur me incidentin me helikopter në Malësinë e Madhe, ku dy ushtarakë humbën jetën dhe një mbeti i plagosur.
“Tronditës pa masë lajmi i aksidentit tragjik të helikopterit të Forcave te Armatosura, ku humbën jetën kapiteni Florian Deliaj, togeri Donald Hoxha dhe ku mbeti i plagosur efektivi Gerald Baramuça”, ka deklaruar Basha.
Kreu i opozitës i ka shprehur “ngushëllimet më të sinqerta të afërmve dhe miqve të Florianit dhe Donaldit për rënien e tyre në detyrë”, ndërsa ka uruar shërim të shpejtë për Geraldin”.
“Jemi sot në krah të familjarëve të viktimave dhe burrave e grave në uniformë, në këtë ditë të vështirë për ta”, ka thënë më tej Basha.
Top Channel