Shpërthimi i skandalit të pastrimit të parave të korrupsionit dhe fshehjes së taksave përmes kompanive të regjistruara në parajsat fiskale, ka vënë në lëvizje edhe prokurorinë dhe policinë shqiptare.
Burime jozyrtare nga organi i hetimit të Tiranës bëjnë të ditur se njësia e hetimit kundër pastrimit të parave ka nisur menjëherë hetimet lidhur me emrin e parë që del në Shqipëri nga skandali “Panama Papers”, kompania e ngjyrosjes së karburanteve GFI Technologies.
Gjithashtu, edhe sektori i krimit ekonomik pranë policisë ka referuar dokumente ndërkohë që lidhen me këto çështje.
Mësohet se prokurorët janë urdhëruar të ndjekim publikimin në vazhdim të të dhënave nga konsorciumi i gazetarëve ndërkombëtarë që disponon 11 milionë dokumente të kompanisë ligjore panameze “Mossack Fonseca”, që bënte regjistrimin e kompanive “offshore” nga e gjithë bota, për të parë lidhjet me Shqipërinë.
Sipas Zyrës së Shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokuroria shqiptare bashkëpunon me institucione të tjera ligjzbatuese për të qartësuar situatën mbi përfshirjen e mundshme në çështjen “Panama Papers”, të kompanive ose shtetasve shqiptarë apo të huaj që operojnë në tregun financiar shqiptar.
Fillimi i publikimit të këtyre dokumenteve bëri që në shumë vende të nisin menjëherë hetimet mbi ish-zyrtarë, zyrtarë dhe kompani të lidhura me skandalin e fshehjes dhe pastrimit të parave.
Top Channel