Në ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre, pritet të përfshihen edhe të rënët dhe të plagosurit, si pasojë e torturave në burgjet e ish-Jugosllavisë, demostrata dhe në forma të tjera të rezistencës, që nga viti 1965 e deri në çlirimin e Kosovës.
“Nga torturat në burgjet e ish-Jugosllavisë, personi i pari ka ndërruar jetë në vitin 1965, ndërkohë që janë 245 persona të evidentuar gjithsej, që ranë si dëshmorë, heronj. Ndërsa persona të plagosur gjatë këtyre ballafaqimeve të rezistencës për lirinë e Kosovës janë 250 gjithsej, të cilët kanë nevojë për përkrahje si invalidë të kësaj rezistence”, tha Flora Brovina, kryetare e komisionit.
Në këtë kategori pritet të përfshihen edhe të plagosurit e demostratave të vitit 1981, të cilët 3 ditë më parë, në 35-vjetorin e kësaj rezistence, ngritën si shqetësim mospërfshirjen e tyre në kategoritë që kontribuan për çlirimin e Kosovës.
Nga 3 kandidatë për ekspertë, për ndryshim-plotësimin e këtij projektligji, Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale përzgjodhi Emrush Ujkanin.
Eksperti i sapoemëruar, brenda 10 ditësh detyrohet të sjellë para komisionit propozimin me ndryshim-plotësimin e ligjit në fjalë, i cili më pas do të procedohet për miratim në Kuvend.
Top Channel