Krimi në familje, arrestohet dhe kunati i viktimës

05/04/2016 00:00

Policia e Tiranës vuri në pranga edhe Leonard Ristanin, kunatin e 49-vjeçarit Artur Kurti, i cili u qëllua për vdekje me thikë, mbrëmjen e së hënës në kryeqytet.

Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se pas arrestimit të djalit të viktimës Jurgen Kurti, autorësinë si i përfshirë në krim e ka marrë daja i tij.

Gjatë marrjes në pyetje, Leonard Ristani ashtu si dhe nipi i tij kanë pohuar se fillimisht ata janë përleshur të dy me Artur Kurtin, në tentativë për t’i hequr nga dora thikën që mbante.

Në deklarimet e dhëna, Ristani ka pohuar se nipi i tij ka tentuar t’i largojë thikën babait, por ka qenë e pamundur, dhe në këtë moment ka ndërhyrë duke u plagosur dhe vetë. Ristani po ashtu u ka bërë me dije oficerëve të policisë, se kjo nuk ka qenë hera e parë që Kurti, ka tentuar të keqtrajtojë bashkëshorten ndaj dhe ajo ishte larguar nga banesa duke kërkuar edhe divorcin, pasi ai prej kohësh shkonte në gjendje të dehur në familje dhe e keqtrajtonte.

Ndërkohë kjo e fundit ende nuk është marrë në pyetje nga policia, pasi ndodhet nën efektin e qetësuesve pas traumës së pësuar mbrëmjen e së hënës. Nga ana tjetër mësohet se policia e Tiranës ka referuar materialet në prokurorinë e krimeve të rënda për veprën e ‘vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare’.

Leonard Ristani dhe nipi i tij Jurgen Kurti pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë paraditen e së mërkurës, ku mbetet për t’u parë edhe qëndrimi i organit të akzuës mbi këtë ngjarje të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA