Me një artikull pa autor, me titull “Greqia duhet të mbajë FMN në tryezë”, “Financial Times” sulmon si asnjëherë tjetër kryeministrin grek Aleksis Tsipras përsa i përket situatës së krijuar pas zbulimeve të bisedave midis përfaqësuesve të FMN-së për Greqinë nga Wikileaks.
Duke përforcuar shkrimin e “WSJ” dy ditë më parë, se ndoshta bisedën e kanë publikuar organet e shërbimeve të fshehta të Greqisë, “FT” thekson se nëse kjo është e vërtetë, atëherë kryeministri Tsipras ka bërë një gabim të madh taktik duke e shfrytëzuar këtë fakt për interesin e tij politik, ndaj e quan atë të papërgjegjshëm.
Është mëse e qartë, thekson “FT”, se Tsipras kërkon largimin e FMN-së pasi në kontrast me BE-në, që është më elastik, është në marrëdhënie hipokrizie me Athinën për 6 vjet.
Sipas gazetës, Fondi gjithnjë ka propozuar masa më të ashpra, por të drejta, midis tyre dhe reduktimi i borxhit, në mënyrë që të ketë sukses programi i tretë i ndihmës për Greqinë.
Gazeta vlerëson gjithashtu se FMN nuk do të bënte kurrë shantazh duke shtyrë Greqinë drejt falimentimit për të justifikuar më pas masat, por ndërkohë organizmi financiar bëhet sipas saj shënjestër e lehtë për një kryeministër, i cili po kritikohet ashpër për menaxhimin e ekonomisë dhe është nën presion nga opozita konservatore.
“Kushdo që përpiqet për të ardhmen e Europës dhe Greqisë duhet ta mbajë FMN-në në programin e ndihmës dhe jo të luftojë për ta dëbuar atë”, përfundon artikulli.
Publikimi i tij vjen vetëm disa orë pas bisedimeve që ka pasur kryeministri Tsipras për këtë çështje me kancelaren gjermane Merkel, presidentin francez Hollande dhe zv/presidentin amerikan Joe Biden.
Top Channel