Përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm parlamentar, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bërë një pasqyrë të vizitës së tij zyrtare në Greqi. Pikë e parë ishin çështjet që burojnë nga Lufta e Dytë Botërore dhe efektet e prodhuara nga ligji i luftës.
“Pronat e shqiptarëve, në bazë të ligjit të luftës Greqia i mban nën sekuestro”, tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Bushati.
Duke u ndalur te çështja çame, ministri Bushati ka theksuar se, kjo çështje e harruar prej vitesh, që nga viti 2013 është në tryezën e të gjitha diskutimeve dypalëshe me palën greke. Jashtë diskutimit nuk ka mbetur as marrëveshja për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë.
“Nuk ka një protokoll për mënyrën sesi duhet të zbatohet një marrëveshje e tillë, por kemi përcaktuar listën e detyrave që duhet të bëjnë të dyja palët. Për ne, çdo gjë do të fillojë nga shfuqizimi i ligjit të luftës”, vijoi më tej ministri Bushati.
Duke u ndalur te marrëveshja e kufijve detarë, Bushati citoi deklaratën e bërë nga ish-kryeministri Berisha pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Ne nënshkruajmë një marrëveshje – bëhet fjalë për marrëveshjen e detit, por nuk e përmend deri në fund cila është në konferencën për shtyp. – Konstatuam se nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit”.
Pas kësaj, kreu i diplomacisë shqiptare shtoi se, tashmë Greqia i ka bllokuar të gjitha mekanizmat, teksa tha se edhe në rastin e dërgimit të çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit do të duhej konsensusi i të dyja palëve.
E në fund ka komentuar dhe kërkesat e herëpashershme të Greqisë për respektimin e të drejtave të minoriteteve.
“A mund të jeni ju një model për ne, që të kemi mundësi ta hulumtojmë? Por, nga ana tjetër, Greqia nuk ka një ligj për minoritetet”, deklaroi Ditmir Bushati.
Top Channel