Shpërthim i fuqishëm në Zubin Potok në prag të vizitës së Vuçiç, asnjë i lënduar

03/04/2016 00:00

Një shpërthim i fuqishëm, si dhe të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar gjatë natës në Zubin Potok, në Shtëpinë e Kulturës së qytetit, ku rreth orës 15 pritet të mbajë fjalimin e tij kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit dhe, siç raporton agjencia e lajmeve “Kosovapress”, nuk ka njerëz të lënduar. Sipas Policisë së Kosovës, mjeti shpërthyes ishte një granatë dore, e hedhur në oborr.

“KosovaPress” bën të ditur se, në kohën e shpërthimit, në Shtëpinë e Kulturës kanë qenë më shumë se 10 punëtorë, të cilët ishin duke përgatitur sallën për kryeministrin e Serbisë dhe se, përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në vendngjarje ishin edhe një numër i madh i pjesëtarëve të Xhandarmerisë serbe, të veshur me rroba civile.

Ndërkohë, kryeministri serb po vazhdon vizitën e tij sipas parashikimeve dhe axhendës, duke u ndalur në takim me minatorët e “Trepçës” në Leposaviç, si dhe në takime me qytetarë serbë që jetojnë në veri të Kosovës.

Ai ka reaguar në lidhje me shpërtimin, duke thënë se nuk ka bombë që e frikëson. Ndërsa në lidhje me minierën e “Trepçës”, kryeministri i Serbisë Vuçiç ka thënë se, në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të këmbëngulë, që autoritetet e Kosovës të mos miratojnë ndonjë ligj, përmes së cilit kombinati “Trepça” të shndërrohej në ndërmarrje publike.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veriun, Besim Hoti ka deklaruar se siguria është rritur në nivelin më të lartë dhe vizita e Vuçiçit vazhdon siç ishte planifikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA