Ekuilibruesi virtuoz

03/04/2016 00:00

Nga Alexander KUDASCHEFF* – Hans Dietrich Genscher nuk ishte politikani i jashtëm i lindur. Megjithatë ai u bë simboli i ministrit të Jashtëm gjerman, 18 vjet me radhë. Ai e përfaqësonte, e jetonte, ai e mishëronte politikën e jashtme të Republikës Federale.

Një politikë gjithmonë e orientuar nga ekuilibrimi – ekuilibrimi i vazhdueshëm me partnerët e tjerë në Europë, në SHBA, por edhe me fqinjët lindorë, në atë kohë ende armiq, dhe me superfuqinë sovjetike. Ky kërkim i vazhdueshëm për kompromise, për linjat e kompromisit, ku shpesh rruga ishte qëllimi, ka qenë melodia kryesore e politikës së jashtme të Genscher-it. Toni bazë i politikës gjermane të pasluftës.

Një ton, i cili, meqë ra fjala, nuk u pëlqente gjithmonë të gjithëve, sidomos në SHBA. Në Uashington, arti i ekuilibrimit politik shihej si një politikë e jashtme e përafërsisë, e paqartësisë, e pavendosmërisë. Kështu, disa homologë nga ana tjetër e Atlantikut e mbanin Genscher-in për një partner të pasigurt, të lëkundur, “compagnon de route”. Manovrueshmërinë, të cilën e ai zotëronte aq mirë dhe me virtuozitet, madje përtej hendeqeve të thella të armiqësisë, Uashingtoni e shihte si një politikë të jashtme pa bosht.

Busull orientuese deri më sot

Politika e jashtme e Genscher-it është kthyer në busull të politikës gjermane, të politikës gjermane të bashkimit. Pra politikë e jashtme gjermane, sot në Berlin si më parë në Bon, do të thotë mundësisht të ruash marrëdhënie të mira me të gjithë, e në rastin më të keq të mos e ndërpresësh komunikimin. Një politikë e tillë e jashtme është e thellë dhe bazohet në të përbashkëtat europiane, edhe pse shpesh kritike ajo është e rrënjosur në politikën perëndimore të aleancës. Ajo kërkon gjithmonë kompromisin, ekuilibrin, së fundmi e tregon këtë qëndrimi ndaj Moskës në krizën e Ukrainës. Kjo politikë nuk e këputi fillin e komunikimit, duke mbajtur të zhongluar në të njëjtën kohë me shumë topa diplomatikë. Ky lloj virtuoziteti i Genscher-it është kthyer në model orientues për pasardhësit e tij, deri më sot. Klaus Kinkel, Joschka Fischer, Guido Westerwelle apo Steinmeier – të gjithë kërkonin dhe kërkojnë shtendosjen e konflikteve apo rrezikut të luftës me mjetet e diplomacisë.

Politika e jashtme gjermane është për këtë arsye gjithmonë një diplomaci e qëndrimit të rezervuar në pikëpamjen ushtarake, qoftë në misionin në Ballkan apo Afganistan. Në sytë e krerëve të diplomacisë gjermane, lufta jo vetëm që është alternativa më e fundit, por ajo nuk është alternativë në vetvete. Politika e jashtme gjermane, tek e cila ka lënë gjurmën e pashlyeshme Hans Dietrich Genscher, është diplomacia pa armë, pa ushtri. Politika e jashtme gjermane përdor në vend të kësaj “soft skills”, mjetet e buta, forcën e bindjes në vend të topave. Natyrisht ky është mësim nga Lufta e Dytë Botërore, por ai vepron ende, edhe 70 vjet pas luftës në politikën e jashtme gjermane.

Koha e vetëpërmbajtjes ka marrë fund

Po t’i pyesësh gjermanët, ata e shohin veten me dëshirë si “Zvicra e gjelbër”: të rehatuar mirë brenda mirëqenies së tyre, të preokupuar me veten dhe mundësisht larg botës. Por ky është iluzion. Gjermania është një fuqi mesatare e vërtetë, në Europë madje një superfuqi. Në krizën e euros, por edhe në atë të refugjatëve, europianët e tjerë i drejtuan sytë, pjesërisht me habi, drejt gjermanëve të vetësigurt. Një qeveri gjermane që u dikton partnerëve të saj kushte dhe që nuk është më e preokupuar vetëm të ruajë konsensusin harmonik mes të gjithëve – së paku jo në kurrizin gjerman.

Këtu bëhet e qartë se politika e jashtme e Genscher-it, sa racionale dhe e mençur në mosmbivlerësimin e ndikimit të saj, ka mbërritur në limite në shekullin e globalizimit. Sigurisht Gjermania nuk do zbulojë papritur me arrogancë dhe në mënyrë të paarsyeshme mjetet luftarake, por ajo është më e kërkuar se kurrë. Koha e vetëpërmbajtjes ka marrë fund. Politika e jashtme gjermane, sigurisht duke ndjekur gjurmët shpirtërore të Hans-Dietrich Genscher-it, do të duhet të përgatitet për këtë.

*Kryeredaktori i DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA