Parulla “Kosova Republikë” rikthen në kujtesë fundin e heshtjes së shqiptarëve të Kosovës ndaj brutalitetit të regjimit Titist jugosllav. Kjo ishte parulla bazë e revoltës studentore të 1 dhe 2 prillit të vitit 1981.
E shndërruar në një lëvizje mbarëpopullore, kjo ngjarje kushtoi vrasjen, plagosjen, helmimet dhe burgosjen e shumë shqiptarëve të Kosovës. Vetëm në Prishtinë u vranë 4 demonstrues, shumë të tjerë më pas vuajtën denimin në burgjet jugosllave.
Faik Krasniqi, pas 35 vjetësh, ecjen në sheshin e demonstratave e përshkruan si ëndërr, teksa kujton momentin kur snajper i këputi gishtat e dorës.
“Bombola e parë e gazit më ka rënë në këmbë, të dytën e zura, e çova dorën të gjuaj lart, t’ua ktheja policëve, më kapi snajperi nga ndërtesa e postës (sot ndërtesa e qeverisë), ma këputi gishtin”, tregon Krasniqi.
Një tjetër që i mbijetoi plagëve është Selver Demaku, i cili u qëllua me katër plumba në stomak, teksa po provonte të vendoste flamurin kombëtar në njërin nga tanket serbe.
Si pasojë e plagëve, për një muaj ai ishte në gjendje kome dhe gjatë kësaj kohe kujton se ka ëndërruar vetëm fëmijët e tij. “Kënaqësha duke përqafuar fëmijët”, thotë ai, ndërsa kujton edhe vargjet e para pas zgjimit nga koma.
“Kam qëndisur një stomak, kam qëndisur për merak, këtë stomak do t’ia ruaj shoqes (gruas) sime”, tregon Demaku.
Pas 35 vitesh në sheshin e demonstratave, ku sot ndodhet godina e qeverisë së Kosovës, janë vendosur tufa me lule në kujtim të shqiptarëve që humbën jetën për “liri dhe barazi”.
Top Channel