NBA, Boston frenon Golden State

02/04/2016 00:00

Golden State frenohet në mënyrë të papritur në kampionatin e NBA. Skuadra kampione në fuqi është mposhtur nga Boston në parketin e saj në Oracle Arena 106-109, duke ndërprerë serinë e 54 sukseseve në shtëpi.

Ishte një ndeshje e rivalizuar, ku gjithçka u vendos në çastet e fundit. Tomas i jep mundësinë Bostonit të kryesojë 109-106 pesë sekonda nga fundi i takimit me Golden State që kishte të drejtën për një përpjekje të fundit.

Stephen Curry gaboi në gjuajtjen e tij duke i dhënë mundësinë Bostonit që të fitojë këtë takim. Golden State mbetet në kuotën e 68 fitoreve e 8 humbjeve dhe i duhen 5 të tjera për të thyer rekordin e famshëm të Chicago Bulls me 72 fitore e 10 humbje.

Në Konferencën e Lindjes, Cleveland vazhdon të qëndrojë në vendin e parë. Në Philips Arena, skuadra nga Ohio mposhti Atlantën 110-108 pas kohës shtesë.

LeBron James ishte lideri i Cavaliers në këtë ndeshje të cilën e mbylli me 29 pikë të shënuara dhe 16 topa në tabelë duke u ngjitur në vendin e 11 në klasifikimin e shënuesve në të mirë në historinë e NBA me 26 718 pikë në total.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Toronto ndjek shembullin e Cleveland duke fituar me Memphis 99-95, ndërsa Uashington fitoi me Phoenix 106-99 duke mbajtur gjallë shpresat për një vend të 8 në Konferencën e Lindjes që e çon atë në “playoff”, ndërsa në derbin e Nju Jorkut, Knicks mundi Brooklyn Nets 105-91.

Top Channel