Marrëveshja BE-Turqi, dilema për zbatimin e saj

02/04/2016 00:00

Dy ditë para se të hyjë në fuqi, shqetësimet për mungesën e përgatitjeve nga ana e autoriteteve turke dhe atyre greke për zbatimin e marrëveshjes për kthimin e refugjatëve janë shtuar.

Korrespondenti i BBC-së në Turqi thotë se ka pak lëvizje në këtë drejtim dhe në qendrat e pritjes së refugjatëve që mbërrijnë ngë Siria, të njëjtat qendra që do të përdoren edhe për ata që do të kthehen nga vendet e BE-së, nuk ka asnjë lëvizje shtesë.

Sipas marrëveshjes, për çdo refugjat të kthyer nga Bashkimi Europian në Turqi, një sirian që ndodhet në kampet turke do të merret nga vendet e unioni. Gjermania do të presë personat e parë nga kjo marrëveshje dhe përparësi do t’u jepet personave që nuk janë përpjekur të hyjnë në BE ilegalisht.

Ndërkohë, autoritetet greke planifikojnë që në bazë të marrëveshjes të lehtësojnë fluksin e refugjatëve në ishuj. “Do të niset nga Lesbosi dhe Kiosi”, tha një zyrtar grek për Associated Press.

Lëvizja e tyre do të bëhet nën masa të forta sigurie me anije të shpejta të ushtrisë dhe me një roje për çdo emigrant.

Megjithatë, rikthimi i refugjatëve në Turqi ka alarmuar grupet dhe organizatat e të drejtave të njeriut. Amnesty International, në një raport të fundit kritikoi Ankaranë, duke deklaruar se po rikthen në zonat e luftës në Siri refugjatët që i largohen konfliktit.

Top Channel